Secondary Adv

Serbet bojkotojne zgjedhjet, shqiptaret mbeten ne krye te komunave ne veri

Zgjedhjet për largimin e kryetarëve të 4 komunave në veri të Kosovës kanë dështuar pasi në këtë proces nuk kanë marrë pjesë 50% plus 1 e votuesve.

 

Shkak është bërë bojkoti masiv i serbëve, duke votuar vetëm, 253 prej tyre, nga mbi 46 mijë me të drejtë vote. Shumica e qendrave të votimit u hapën në orën 07:00, përjashtuar disa që u hapën me disa minuta me vonesë për shkaqe teknike ndërsa nuk janë shënuar incidente.

 

Megjithatë, anomalia më e madhe në këtë ditë ishte pjesëmarrja qesharake në votim. Në Leposaviq votuan 124 votues apo 0.91% e shifrës totale, në Zubin Potok, 18 votues, apo 0.26%, në Zveçan asnjë votues, ndërsa në Mitrovicë të Veriut, 111 votues, apo 0.59% e votuesve.

 

Presidentja Vjosa Osmani, u shpreh se Kosova i dha qytetarëve të komunave të veriut mundësinë që t'i largojnë kryetarët aktualë dhe të zgjedhin drejtuesit e rinj, por ata nuk e shfrytëzuan për shkak të presioneve nga Beogradi.

 

“Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuçiç shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë”, shkruan Osmani.

 

Sipas saj, Kosova tregoi maturi dhe i plotësoi të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja dhe tani duhet të jetë ajo që të heqë masat ndaj Kosovës, menjëherë.

 

Të gjitha qendrat e votimit - 23 - u mbyllën të dielën në orën 19:00. Ky proces u organizua teksa Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka bërë thirrje për bojkotim të votimeve./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat